Platformë e Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI


Ne, një grup nëpunësish të BFI në RM, pa kurrfarë dyshimi jemi të bindur se ky Institucion për shumë vite, madje që nga themelimi i saj, këtu e mbi gjashtëqind vjet më parë, ka qenë i vetmi Institucion që është përkujdesur jo vetëm për fatet e myslimanëve të vendit por edhe për zhvillimin e jetës fetare islame në vend. 

Shkolla juridike Hanefite, të cilës i përkasin absolutisht të gjithë myslimanët e Maqedonisë, ka ndihmuar në ruajtjen edhe të identitetit kombëtar dhe kulturor të myslimanëve të këtij nënqielli. Natyrsht, funksionimi i këtij Institucioni fetar është bazuar ekskluzivisht në burimet kryesore të Islamit: në Kur’anin e Shenjtë si dhe në praktikën e Pejgamberit tonë, Muhamedit s.a.v.s., por edhe në aktet juridike të brendshme si dhe në rregulloret që kanë siguruar zhvillim institucional dhe profesional të jetës fetare islame.

Ekpserienca ka provuar që sa më shumë që ka qenë më pranë popullatës myslimane aq më mirë e ka kryer misionin e saj, si në periudhën osmane ashtu edhe në atë të sistemit ateistkomunist por edhe gjatë këtyre viteve të pluralizmit politik në vendin tonë. Në momentin kur ka devijuar nga interesat e përgjithshme të popullit, në atë çast ka pasur pakënaqësi, shpërthim të revoltës madje edhe mohim të këtij Institucioni fetar. Në këtë fakt mbështetet edhe revolta jonë, angazhimi ynë për një reformë të thellë në BFI, e cila e kriminalizuar, e zhytur në krime e korrupsion, në zhvatje e në nepotizëm, është shumë larg të qenurit institucion legal, legjitim, që funksionon profesionalisht e që zhvillohet institucionalisht. Për momentin është peng i një grupi të padenjë për të qenë nëpunës të këtij Institucioni e lëre më të udhëheqin me të. 

Hartimi dhe zbatimi i platformës sonë bazohet në parimet: “BFI veprimtarinë e vet e mbështetë në: drejtësi, transparencë, debate para sjelljes së vendimeve në organet kolektive, konsulta në kryerjen e punëve, zgjedhje, emërtime, përgjegjësi dhe shkarkime të funksionarëve... të cilët, duke u nisur që nga Reis ul Ulemaja e deri te muezini, mund të revokohet dhe të shkarkohet nëse nga organet dhe institucionet e BFI-së konstatohet se: nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, emëruar, qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, keqpërdor pozitën në dëm të interasave të BFI-së, pa sukses i kryen punët dhe obligimet e tij, paaftësia për kryerjen e punës së vet, sëmundja, mosha, vdekja ose vetë dëshira e largimit” (Kushtetuta e BFI në RM, Kreu 1 “Dispozita e përgjithshme”, Neni 8, dhe, Kreu 7, “Nëpunësit e BFI-së”, Neni 58.) 




FUNKSIONIMI I BFI NË RM 

Sot funksionimi i BFI-së është në prag të paralizimit total. Ky Institucion është tepër shumë i dëmtuar. Rrjedhimisht, po depersonalizohet dhe po deformohet e po degradon për ditë e më shumë. Kushtetuta, statutet e organeve si dhe të gjitha rregulloret po shkilen qëllimisht dhe pa kurrfarë frike. 
Sot në BFI ndjehet vetëm atmosfera e krimit, vjedhjes, zhvatjes, shkatërrimit, dehumanitetit, korrupsionit e nepotizmit. Organet e këtij Institucioni si dhe këshillat apo forumuet drejtuse nuk janë mbledhur pothuajse asnjëherë. BFI-ja është shndëruar në Institucion individ! Aty vetëm njëri, si despot, vendos për gjithçka dhe në çdo kohë. Rijaseti, si organ kolektiv, drejtohet nga individë me mandat të skaduar, me individ të padenjë për të qenë aty, me falsifikatorë të përgatitjes akademike, njerëz me dosje, ndërkohë që, personi që ka uzurpuar postin e Reis ul Ulemasë, organin më të lartë të BFI-së, është vetëshpallur kryetar, duke falsifikuar tërë procesin e zgjedhjes së tij. Vendimmarrja kolegjiale ka kaluar në personale. Në vend të aktiviteteve fetare, zhvillohen synimet e një grupthi uzurpatorësh të denjë për zhvatje, vjedhje dhe kriminalizim të kolektivit. Solidariteti njerëzor është ngulfatur ekstremisht nga orekset grabitçare të individëve tashmë të dëshmuar si hajna e si dehumanizues të BFI-së. Në vend të komunikimit njrëzor sot zotëron arroganca dhe diktati, në vend të fjalës së ngrohtë shoqërore sot në BFI kultivohet zhargoni i stërmushur me të shara nga më banalet. Degradimi i BFI-së nga një Institucion shekullor fetar islam në një shoqatëindivid, tjetërsimi hap pas hapi i vakëfit, vjedhja e qytetarëve në emër të avansimit të jetës fetare islame në vend, në fakt ka sjellë deri te një humbje e madhe e besimit si dhe te zvetënimi total i shpresës për një të ardhme të shëndoshë të këtij Institucioni. Dhe nuk dihet më nëse BFI-ja është në shërbim të popullit apo në shërbim të oligarkëve! 
Në BFI aktualisht mbisundon një atmosferë mosbesimi dhe një gjendje absurdi, dhe kjo krejt si pasojë e kriminalizimit të këtij Institucioni dhe delegjitimimit të tij përmes falsifikimit të zgjedhjeve dhe uzurpimit të posteve. Janë shkelur të gjitha procedurat, janë tejkaluar të gjitha afatet e parapara në Kushtetutën si dhe në aktet e tjera gjegjëse për zgjedhjen e organeve drejtuese. Prandaj edhe konstatohet me të drejtë se jo vetëm “de fakto” por edhe “de jure” sot BFI-ja është pa organe drejtuese legjitime. Përpjekja për resurse njerëzore e profesionale është ngulfatur nga sjellja banditeske e emërtonjësve të kuadrove të padenja për vendet e punës, me diploma të falsifikuara, me sjellje servile, të pamoralshëm e të padinjitetshëm. Nuk ka dyshim se një gjendje e këtillë mund të krijohet vetem nga një njeri i paligjshëm në krye të institucionit, nga një uzurpator i postit të Reis ul Ulemasë. 



MUNGESA E PROGRAMEVE DHE PROJEKTEVE SI DHE KONFUZITETI NË BFI 

Mungesa e programeve, projekteve, vizioneve si dhe amatorizmi i skajshëm po e dëmton ditë e më shumë BFI-në. Besimtarët e vendit ndjejnë etje për një aktivitet të mirëfilltë fetar islam, myslimanët e vendit nuk po shohin kurrfarë përpjekje institucionale për një progres bashkëkohor të jetës fetare islame. Qytetarët myslimanë të vendit janë dëshmitarë të një loje të padrejtë e cila po zhvillohet në interes personal të njeriut që pretendon se është kryetar i këtij Institucioni si dhe në dëm të shkollës juridike hanefite. Të gjithë ata që i kishte konsideruar armiq të islamit, kundër të cilëve ka zhvilluar një fushatë të paparë, sot i ka institucionalizuar duke ju dhënë poste, detyra dhe angazhime konkrete. Kjo lojë dhe jo vetëm kjo, kanë ndikuar që sot BFI-ja të anashkalohet dhe të ngelë margjinave të axhendave të faktorit ndërkombëtar. Prej një Institucioni me relevancë sot BFI konceptohet si një “organizatë” e rrezikshme. Sot në BFI në RM si «besim» dhe si «fe» merren vetëm urdhërat nonshalante dhe psikopatike të një falsifikatori të procesit zgjedhor i cili tashmë ka krijuar një staf sa për t’ia mbajtur iso-n në të gjitha veprat penale që i kryen çdo ditë e më shumë. Një institucion që mëton të zhvillojë jetë profesionale e me plotë aktivitete të denja për një institucion shekullor fetar, analizon e sjell konkluzione jo vetëm për punën që e kryejnë organet dhe institucionet e tij por edhe për perspektivat e kësaj jete fetare si dhe të besimtarëve të saj. Një institucion që mëton të zhvillojë jetë profesionale konsulton dhe merr para sysh mendimin akademik të euroditëve brenda dhe jashtë vendit. Mbi këtë bazë harton platforma, qëndrime e vendime rreth dukurive dhe fenomeneve të ndryshme me të clat shoqëria jonë po ballafaqohet dita ditës, mjerisht, e papërgatitur, e paudhëzuar dhe e pa drejtuar nga njerëzit me personalitet dhe karater adekuat. Një institucion fetar i cili pretendon se për bazë ka programin e denjë për të mirën e kësaj shoqërie, duhet të jetë jo vetëm shumë transpaente por edhe e denjë dhe e përgatitur për të pranuar sugjerime e kritika nga më të ndryshmet që do të ndikojnë në evitimin e gabimeve, në përmirësimin kualitativ të udhëheqjes së institucionit; vepron në mënyrë të organizuar dhe me shumë vullnet në evitimin e gabimeve si dhe në korrigjimin e tyre, denoncon dhe lufton çdo përpjekje për vjedhje e korrupsion brenda institucionit; ata që vjedhin, që korruptohen e që korruprojnë i largon pa hamendje nga vendet e punës brenda këtij Institucioni. Kërkon nga të gjithë organet drejtuese që me përpikmëri të zbatojnë dhe të reaizojnë çdo premtim nga programet e tyre. Në këtë mënyrë një institucion funksional do të mund t’i shërbente besimtarëve të vet, mirëqenies së përgjithshme, duke u bërë model se si i kontibuohet vendit dhe shoqërisë. Situata aktuale, rezultatet e turpshme, politikat korruptive dhe kriminale të BFI-së së uzurpuar nga një kryetar ilegjitim që nga viti 2011 e deri më sot, provojnë fakte katërcipërisht të pamohueshme se një BFI jofunksionale, e kapur nga krimi, korrupsioni, hajnia dhe nepotizmi, ka devijuar jo vetëm nga përcaktimet kushtetuese dhe statutare por edhe nga parimet bazë të besimit islam. Çdo përpjekje individuale apo grupore për t’i dalur përpara kësaj praktike të turpshme të BFI-së së sotshme, i tremb vetëm ata individë që BFI-në e kanë përdorur për pushtet personal e për pasurim të paligjshëm. Pikërisht këtij soji i intereson një BFI jofunksionale, e paralizuar, pa identitet, një BFI që e ka vdekur institucionin e përgjegjësisë dhe që e stimulon vetëshkatërrimin duke shpresuar në zhdukjen e të gjitha gjurmëve të një loje të pandershme që po zhvillohet që nga dita e uzurpimit të këtij Institucioni e që po vazhdon edhe sot e kësaj dite.



LËVIZJA MYSLIMANE PËR REFORMA NË BFI (LMR) 

BFI-ja është Insitucion shumëshekullor islam në RM. Falë devotshmërisë dhe përkushtimit të besimtarëve si dhe të pararendësve udhëheqës të këtij Institucioni, BFI-ja i ka bër ballë lloj-lloj pushtuesve, autoriteteve, despotëve e sistemeve. BFI-ja pa dyshim që është pasuri kombëtare e fetare, pra, është pauri njerëzore, prandaj, si çdo pasuri tjetër e çmueshme, duhet të ruhet nga çdo përpjekje për ta rrënuar e shkatëruar. Misioni i saj historik e ka bërë të pathyeshëm ndonëse ka kaluar nëpër duar të individëve siç janë këta të sotit, me plan e projekt konkret, përmes vjedhjes e zhvatjes, përmes nepotizmit e personalizimit, për ta zhbërë nga faqja e dheut. Misioni ynë është që me tërë qenien tonë ta mbrojmë nga ky grup oligarkësh që synojnë tjetërsimin dhe keqpërdorimin e BFI-së. Kurrë nuk është vonë që, të gjithë ata, çdo individ e grupim shoqëror, që shohin se si po keqpërdoret BFI-ja nga një grusht individësh të rrezikshëm për fenë, kombin e shoqërinë, të angazhohen për ta rivendosur rendin, kushtetutshmërinë dhe aktivitetin institucional në BFI. Ne, një grup individësh me relevancë në këtë Institucion, në momentin kur pamë se dikush po kurdis projekte e lojëra për ta katandisur si mos më keq këtë amanet të shenjtë për myslimanët e vendit, vendosëm t’i dalim përballë dhe me çdo kusht ta luftojmë këtë tendencë kundër BFI-së. 



OBJEKTIVAT E LMR-SË 

Objektivat e LMR-së janë: 

Funksionalizimi i BFI-së si dhe profesionalizimi i saj duke u bazuar në Kushtetutën si dhe në aktet e tjera të organeve dhe institucioneve të saj. Rikthimi i besimit të myslimanëve në BFI dhe krijimit të parakushteve që BFI-në që të gjithë ta shohin si institucion të vetin, me theks të veçant myslimanët e nacionaliteteve që llogariten si pakicë. Rikthimi i solidaritetit dhe frymës institucionale në BFI, ringjallja e shpresës dhe e besimit në BFI duke ia rikthyer peshën e faktorit relevant në shoqëri e në vend. Mbrojtja e identitetit dhe e vlerave historike të BFI-së nga çdo deformim që mund të bëhet në emër të fesë, që cënon natyrën fetare të këtij Institucioni. 



SYNIMI I LMR-SË 

Fuqizimin e institucioneve të BFI-së, profesionalizimin e saj si dhe shmangien e çdo përpjekje për ta shndërruar në një shoqatë të thjeshtë e nën pronësim të një grup oligarkësh të dëshmuar se janë të prirur për devalvimin, defaktorizimin dhe shkatërrimin e këtij Institucioni. Krehja e sektorit të finansave, përmes auditëve profesionalë e shtetërorë si dhe nxjerrja para drejtësie e të gjithë keqpërdorusve finansiarë të cilët kanë prekur dhe zhvatur pronën dhe pasurinë e shenjtë të BFI-së. Krijimi i mekanizmave për një zhvillim ekonomie me rritje të qëndrueshme, të cilat do të mundësojnë aktivitete fetare e humane, zhvillim të jetës fetare si dhe ngjalljen dhe kultivimin fuqishëm të ndjenjës së solidaritetit, ashtu siç na porosit Kur’ani i Shenjtë dhe Hadithi i Pejgamberit tonë, Muhamedit s.a.v.s. Rikthimi i peshës institucionale në sytë e faktorit ndërkombëtar si dhe pozicionimi meritor në të gjitha konferencat dhe organizatat ndërkombëtar me karakter fetar islam ku ka aderuar deri më sot BFI-ja. Mirëmbajtja e objekteve fetare, aftësimi i resurseve njerëzore si dhe aftësimi profesional i BFI-së për t’i shërbyer denjësisht mbarë myslimanëve të vendit por edhe diasporës sonë. Realizimi i të gjitha premtimeve dhe synimeve të parapara nëpër programet e konkurrentëve profesionale për të zënë vende udhëheqëse pas reformimit të plotë të BFI-së. Të gjithë personat në postet drejtuse të cilët nuk do të arrijnë të realizojnë atë që premtojnë do të shkarkohen përmes analizave të rezultateve që do të bëhen nga organet kompetente të BFI-së në çdo vit. Ridimensionimi i masave për punësim adekuat të kuadrove profesionistë, lufta kundër diskriminimit ndëretnik, lufta kundër korrupsionit, nepotizmit, ngjallja e humanizmit, e bamirësisë, orgnizimi dhe qasja profesionale në zhvillimin dhe kryerjen e çdo aksioni apo aktiviteti fetar. Zhvillimi i veprimtarisë botuese. Përkrahje e pakonpromis dhe angazhim permanent në luftën kundër korrupsionit dhe kapjes së BFI-së nga oligarkët dhe personat e paskrupullt të cilët aktivitetin e vet e fshehin nën petkun fetar islam. Një grup individësh, disa të pasuruar nga vjedhja shumëvjeçare në BFI, disa keqpërdorus të posteve të lartë në këtë Institucion, duke i keqpërdorur finansat madje edhe për korruptimin e organeve të drejtësisë në vend, tashmë e kanë përqëndrur në duart e tyre tërë vendimmarrjen dhe, pa respektuar kurrfarë procedure e organ përkatës të BFI-së, sjellin vendime të cilët e dëmtojnë rënd jo vetëm BFI-në por edhe shoqërinë myslimane në vend. Prandaj, me procesin e reformimit mbi të gjitha nënkuptohet edhe dekriminalizmi dhe dehajdutëzimi i BFI-së, por jo edhe amnestia apo falja e të gjithë atyre hajdutëve që i kanë të zhytur duart deri në bërryla në finansat e BFI-së. Prandaj, LMR-së, sapo t’i krijohet mundësia “de jure”, do të nisë edhe nismë ligjore për verifikimin dhe publikimin e pasurisë materiale e monetare të çdo oligarku aktual të BFI-së apo edhe të nismëtarëve për reforma. Ky proces do të përmbyllet me dërgimin e këtyre çështjeve në gjykatë, për të ligjëruar sekuestrimin e pasurive të paligjshme dhe dënimin sipas ligjit të cilitdo që ka abuzuar, qofshin këta uzurpatorët e posteve apo edhe të reformistëve. Themelimi i shoqatave të ndryshme, siç janë shoqatat e të rinjëve myslimanë, e grave myslimane, e hafëzlerëve, e sindikatës së hoxhallarëve, etj. do të rrisë shansin e pjesëmarrjes në vendimmarrje të një game sa më të gjërë të myslimanëve të vendit. Me këtë do të vie në shprehje edhe fytyra demokratike e BFI-së ndërsa do të shmanget çdo fije rreziku për të ringjallur apo riaktivizuar sistemin autoritar e diktatorial në BFI. Me këtë do të marrë fund praktika e deritanishme e oligarkëve të cilët kërkonin që të gjithë të punonin dhe të ishin nën shërbimin e detyrueshëm të uzurpatorit të postit të Reis ul Ulemasë.



PROPOZIMET E LMR-SË PËR NDRYSHIM DHE PLOTËSIM NË KUSHTETUTËN E BFI-SË


Ne propozojmë që në Kushtetutën e BFI-së, të bëhen disa ndryshime dhe plotësime në shërbim të funksionimin profesional të këtij Institucioni: 

Nuk ka post të përjetshëm në krye të BFI-së. Posti i Reisul Ulemasë është simbol i përbashkimit, është post shpirtëror e jo administrativ. Me këtë Kushtetutë përcaktohen instrumentet që garantojnë “BFI profesionale dhe funksionale”: 

a – Mocionet për të gjithë organet drejtuese të organeve dhe institucioneve të BFI-së. Mocionin mund ta ngrisin të gjithë organet drejtuese për çdo organ drejtues në BFI. 

b - Pesdhjetë e një për qind e myftinive të BFI-së kanë të drejtën të inicojnë referendum për mocion apo shkarkim të cilitdo organ drejtues. Largimi nga të gjitha organe dhe institucionet e BFI-së por edhe nga funksionet përfaqësuese i të inkriminuarve, të korruptuarve dhe oligarkëve. 

Largimi nga BFI-ja dhe nga funksionet përfaqësuese për: 

a – mosjellje të vendimeve në mënyrë kolegjiale; 

b – Reis ul Ulema si organ nuk mund të sjellë vendime pa respektuar vendimet apo qëndrimet e organit gjegjës kolektiv; 

c - mosrespektim të vendimmarrjes kolegjiale; 

ç – manipulim dhe falsifikim të procesverbaleve apo votave gjatë procesit të zgedhjes së organeve drejtuese; 

d – organet drejtuse zgjidhen me votime të fshehta kurse Reis ul Ulema lëshon dekretin pas zgjedhjes së tyre dhe verifikimit të procesit zgjedhor; 
Me këtë Kushtetutë përcaktohet puna e arkivit të BFI-së, e arkivimit të çdo dokumenti apo letre formale apo zyrtare që hy në BFI e që del prej saj; 
arkivimi i çdo projekti, i dokumenteve para, gjatë dhe pas përfundimit të projektit. 



RRUGA E VEPRIMIT TONË PËR REFORMA

Rruga e nisur për reforma në BFI përkon me kohën e dorëheqjes së Sekretarit Gjeneral nga BFI, si rezultat i një informacioni për vjedhje të mëdha në BFI e me dijeni të vetë uzurpatorit të postit të Reisit. Një hulumtim dhe një analizë më e thellë na e dha të drejtën që të jemi permanent dhe këmbëngulës në kërkesën tonë për reforma të gjithanshme në BFI. Shmangia apo ikja nga reformat e domosdoshme nuk mund të bëhet vetëm me një “riformatim” sipërfaqësot të Rijasetit apo me nja dy-tri mbledhje të manipuluara dhe jolegjitime të këtij Rijaseti, mbledhje këto që u organizuan me qëllim të nënvizimit të konstatimit se Rijaseti edhe më tej kontrollohet dhe manipulohet prej uzurpatrit të postit të Reis ul Ulemasë së BFI-së. As me fushatat mediale të paguara dendur nga buxheti i BFI-së i grumbulluar nga fitrat, zeqatet dhe kontributet e myslimanëve të vendit për zhvillimin e jetës fetare islame në vend. Pastrimi i fytyrës së Rijasetit nuk mund të bëhet përmes fushatave tendencioze mediale, apo përmes mledhjeve sipërfaqësore mediale por përmes debateve gjithëpërfshirëse, deri në eliminim të çdo dyshimi apo shpekulimi eventual. Prandaj këto mbledhje rastësore të Rijasetit nuk mund të jenë akte të transparencës apo të treguesit se në BFI çdo gjë është në rregull, por janë akte vetëm sa për të konfirmuar legjitimitetin e falsifikuar dhe vazhdimësinë kriminale të aktiviteteve antiligjore të uzurpatorit të postit të Reisit. Mbledhjet e organeve më të larta mbahen për të sjellë vendime e qëndrime madhore e jo për ta futur në rrugët antiligjore një organ që është bartëse e jetës fetare islame në vend. Për çfarë mbledhje sot ka nevojë Rijaseti? Rijaseti sot ka nevojë për një mbledhje ku: Do të kryqëzohen problemet, faktet dhe idetë, propozimet e qortimet, deri në arritjen e përfundimit përmes konkluzioneve që do të shënojnë etapë të re për zhvillimin e jetës fetare islame në vend. Mbledhja duhet të jetë transparente dhe e hapur për opinioni publik si dhe për të gjitha mediat e vendit dhe jo vetëm për ato media të korruptuara nga buxheti i BFI-së. Në mbledhje duhet të analizohen të gjitha përgjegjësitë e personave të diskutueshëm, duhet të analizohen faktet dhe argumentet por edhe aktivitetet e realizuara që dalin nga platformat e organeve drejtuese.
Besimtarët e vendit por edhe ata të diasporës sonë kanë plotësisht të drejtë që të njihen jo vetëm me projektet dhe platformat e organeve drejtuese, por edhe me masat shpërblyese apo ndëshkuese për realizimin apo mosrealizimin e të njëjtave. Kjo është BFI funksionale! Mbledhja e Rijasetit duhet të raportojë për të arriturat përgjatë këtij mandati ndonëse të uzurpuar të “kryetyarit” aktual. Duhet të vërtetojë apo të demantojë të gjitha ato informacione që qarkulluan për personat konkretë që përbëjnë një oligarki të tmerrshme në krye të BFI-së. Duhet t’i dëshmojë opinionit të vendit apo diasporës se keqbërësit dhe hajnat, devijantët dhe manipulatorët nuk mund të zënë vend në BFI e as të jenë pjesë e stafit drejtues të organeve dhe institucioneve të BFI-së. Duhet të publikohen rezultatet e hulumtimeve, por edhe masat për shpërblim apo ndëshkim si të meritorëve ashtu edhe të matrapazëve që manipulojnë në emër të fesë. Mbledhja e Rijasetit duhet të krijojë mundësira për ta analizuar organizimin dhe funksionimin e brendshëm të BFI-së. A ka kuptim një mbledhje e Rijasetit ku do të konstatohet se veprimtaria e vehabistëve në vend është shumë e rrezikshme kurse bartësit e këtyre aktiviteteve vehabiste të rrezikshme veprojnë nëpër institucionet e BFI-së, pa kurrfarë problemi, madje edhe privilegjohen! Në mbledhje bëhet analizimi tremujor apo gjashtëmujor, vjetor i mandatit, i një funksionari, i një drejtuesi, i cili duhet të japë llogari për mbarëvajtjen apo ngecjen në punët drejtuese. Në bazë të këtyre analizave propozohen masa të ndryshme, deri në shkarkim nga posti drejtues apo edhe në avancim. BFI-ja dhe organet e institucionet e saj për të tilla mbledhje kanë nevojë dhe jo për ta legjitimuar kriminalizimin dhe hajdutërinë e BFI-së. Myslimanët e vendit dhe ata të diasporës, në asnjë mënyrë nuk mund të detyrohen që t’i besojnë mbledhjeve që organizohen nga uzurpatori i postit të kryetarit të BFI-së sa herë që ka nevojë për ta legjitimuar veprimtarinë e vet antiligjore.



ORGANIZIMI DHE AXHENDA E VEPRIMIT
 

Veprimi i LMR-së kryhet me transparencë të plotë për opinionin publik, vendas e të huaj. Duke e konsideruar veten si oponencë e oligarkëve shumë të rrezikshëm që për momentin e kanë kapur BFI-në. LMR zhvillon takime direkte me xhematet, imamët dhe faktorë të tjerë të BFI-së, përcjell proçeset e ngritura në gjyqësor dhe këmbëngul në funksionimin e shtetit ligjor. Lëvizja është gjithnjë dhe më aktive përmes rrjeteve sociale online e në çdo formë tjetër që mundëson komunikim dhe shkëmbim vlerësimesh e idesh. Nga ky bashkëbisedim, kjo Platformë do të pasurohet e ngrihet në nivelin e një plan-veprimi që integron mendimin dhe vullnetin e shumicës e cila pa kurrfarë mëdyshje do të na bashkangjitet gjithnjë e më shumë. LMR do të vazhdojë deri sa ky plan të realizohet plotësisht.




reformanebfi@gmail.com